Familjarët në “Uniko”: Nuk kishte arsenal armësh në shtëpi

Të afërmit e 71-vjeçarit Lefter Zhidru që u vra nga RENEA më 24 Shtator në Elbasan, thonë se kjo ngjarje mund të ishte shmangur. Duke folur për emisionin Uniko në Klan Plus, Maria Siveri, motra e Lefter Zhidru, tregoi se kishte biseduar me vëllain në telefon dy herë ditën kur 71-vjeçari po mbahej i rrethuar brenda banesës nga forcat speciale.

“Ai ishte shumë i stresuar. Shpirti i tij dhimbte kaq shumë sa nuk e ka njeri idenë në këtë botë. I thashë, Lefter, të keqen motra qetësohu. Nuk qetësohem dot. 71 vjeç ishte, sëmundje, sheqeri i kishte vajtur 500, tensionin e kishte. Më dridhet trupi thoshte, nuk flas dot se më ikën zëri”.

Ndërsa vëllai i 71-vjeçarit të ndjerë, Thanas Zhidru ka zbuluar se Lefteri ishte përfshirë në tregtinë e gomave nga Rumania në vitet e para të demokracisë.

“U prish sistemi edhe ai ka takuar një inxhinier rumun që bëri maternitetin e ri të Sarandës. Në ’92-’93 me atë punoi si shofer për 6 muaj, bashkë me atë bënin tregtinë e gomave nga Rumania edhe pulla për gomat”.

Në rrëfimin e tyre, ata thonë se kanë dyshime që e gjithë kjo ngjarje të jetë e orkestruar. Nuk ngurrojnë të drejtojnë gishtin edhe drejt bashkëshortes së vëllait të tyre, Floreshës, për të cilën thonë se duhet të sqarojë pozitën e saj.

“Në qoftë se Floresha e dinte që ai kishte nga ato në shtëpi, pse s’kishte vajtur më përpara të lajmëronte policinë? Këtu ka një pikëpyetje të madhe”, thotë vëllai.

Floresha t’i japi të vërtetat kështu si kanë qenë dhe si janë bërë. Deri sa doli nga shtëpia edhe thotë për burrin që do më vrasi, a çfarë tha në polici se një diçka të tillë ka thënë që erdhi policia rrethoi pallatin, ajo duhet të japë një përgjigje”, deklaron motra.

Megjithatë, Thanas Zhidru dhe Maria Siveri shprehen se zbardhjen e vrasjes së vëllait të tyre do t’ia lënë drejtësisë.

Klan Plus