Në fshatin Belinë të Patosit familjarët e 69-vjeçarit Reshat Grembi që ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pasi u hodh nga kati i dytë i Spitalit Infektiv, kanë hapur dyert e mortit. Të afërm të tij fajësojnë mjekët se nuk i dhanë trajtimin e nevojshëm mjekësor ndërsa e lanë disa orë 69-vjeçarin të priste ndonëse ishte i infektuar me Covid-19.
“Nga ora 2-3 që kanë shkuar deri nga ora 8 e kanë mbajtur në ambulancë me qëllim se nuk ka pasur vende. E kanë futur në korridore dhe akoma nuk kanë marrë asnjë lloj shërbimi. Sot e kësaj dite nuk është konfirmuar nëse ishte me Covid xhaxhai im”.
Familjarët thonë se e kanë marrë vesh nga televizori se Grembi ishte vetëhedhur ndërsa stafi i spitalit nuk ka komunikuar me ta.
“Nuk e di se çfarë ka ngjarë, kur mora vesh nëpërmjet titrave që është hedhur nga ballkoni”.
Reshat Grembi u hodh nga kati i dytë i Spitalit Infektiv në QSUT mesditën e së martës dhe mbeti i plagosur. Për shkak të situatës së Covid dhe frakturave në trup, ai u fut në terapi intensive dhe nuk mundi të mbijetonte.
I moshuari kishte vetëm 24 orë që ndodhej i shtruar në infektiv ndërsa ndërmori aktin e rëndë.
Klan Plus