Një person është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, viktima është Briken Sanaj 39 vjeç nga Lezha. Ai mbërriti i vdekur në spital, thonë burimet. Motivet e krimit janë të paqarta.

Hetuesit dyshojnë se 39-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku nga një automjet në lëvizje. Pas të shtënave, makina u largua në drejtim të paditur.

Ndërkohë në Qafë Kashar u gjet një makinë duke u djegur që mendohet se u përket atentatorëve, të cilët pas krimit e braktisën duke i vendosur zjarrin.

Policia ka shoqëruar edhe disa persona të cilët po merren në pyetje.

INFORMACIONI PARAPRAK I POLICISË SË TIRANËS:

Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Janë shoqëruar disa persona në Polici.

Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet.

Grupi hetimor po punon  për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.  

/tvklan.al