Prokuroria e Tiranës, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq për ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve’ Vladimir Kolën i dyshuar për vrasjen e Briken Sanajt. Kjo ngjarje ndodhi në kompleksin ‘Kodra e Diellit’ në kryeqytet më 30 Tetor 2022.

Po kështu, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq dhe katër persona të tjerë, Gjelosh Krasniqi, Kened Antoni, E.H., dhe Z.K. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ e ‘Përkrahje të autorit të krimit’.

Nga hetimet rezultoi se vëllai i viktimës në vitin 2012 është konfliktuar me vëllezërit e autorit, pasi i kanë ngacmuar të fejuarën.

Prokuroria thotë se në Tetor të vitit 2022, autori i dyshuar, ladimir Kola ka udhëtuar nga Barcelona, në Podgoricë e më pas ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.

Pas kësaj, ai ka blerë një makinë duke përdorur targat e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së Sanajt është gjetur i djegur në fshatin Domje. Brenda tij është gjetur arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.

Sa i përket Kolës, ai u vu në pranga në Prill të vitit 2024 në Gjermani.

Kujtojmë se Sanaj u qëllua me 5 plumba pistolete në zonën e “Kodrës së Diellit”, disa metra larg shtëpisë teksa po dilte nga makina. /tvklan.al