Ky është momenti kur në aeroportin e Rinasit mbërrin një nga të kërkuarit e drejtësisë, Gjovalin Lesi. 56-vjeçari u ekstradua nga Italia pasi rezulton i dënuar me burg përjetë për vrasje të dyfishtë.

Sipas policisë në vitin 1997, Gjovalin Lesi vrau në Rubik me armë zjarri motrën dhe bashkëshortin e saj. Për këtë në vitin 1998 është dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Mirditës për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

56-vjeçari u arrestua nga autoritetet italiane më 3 Prill të vitit të shkuar, e më pas u transferua në burgun e Matera-s.

Sipas asaj që raportuan 1 vit më parë mediat italiane, Lesi kishte arritur të jetonte i qetë në shtetin fqinj duke përdorur identitetin e vëllait të tij me aftësi ndryshe.

Gjovalin Lesi ishte në listën e personave më të kërkuar nga Policia Shqiptare. Pak vite më parë njësia e kërkimit pranë Policisë së Shtetit publikoi emrin dhe foton e 56-vjeçarit si një ndër personat e shumëkërkuar.

Klan News