“Ku ka dashuri, ka paqe”, është titulli i këngës mjaft të dëgjuar të “bilbilit” të jugut Ylli Baka. Një këngë që ka dalë në tregun muzikor rreth 10 vite më parë. I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan këngëtari prezanton videoklipin e këngës të realizuar kohët e fundit.

Ylli Baka njihet për videoklipet në peizazhet natyrore, po ky videoklip ka kaluar çdo pritshmëri e “imagjinatë”. I kthyer në një “spider man”, ai performon në majën më të lartë të kullës së Tiranës. Një eksperiencë e pazakontë për të, por që në studio këngëtari mes batutash ndan pak nga prapaskenat e xhirimeve.

Ylli Baka: Ishte pak e vështirë, por tani duhet të bëhen edhe disa gjëra të vështira. Ishte shumë e thjeshtë që të xhironim, nuk kishte asnjë lloj problemi. Kur e shikon duket… Ishte vetëm një dritare atje dhe një punëtor, por vetëm era ishte pak problem atje sepse frynte shumë ama Tiranën dhe Durrësin e kishe në pëllëmbë të dorës.

Rudina Magjistari: Si u ngjite deri atje? Patët shkallë nga brenda dhe hapej një dritare?

Ylli Baka: Po!

Rudina Magjistari: Po si ke shkuar deri aty, nuk ke pasur frikë se rrëshqet?

Ylli Baka: Nuk rrëshqet atje.

Rudina Magjistari: E guximshme shumë duhet thënë sepse në atë lloj lartësie edhe pse ajo mund të mos jetë e rrëshqitshme, aty të merren mente!

Ylli Baka: Aty nuk kanë xhiruar kamerat, aty ka xhiruar vetëm droni.

Rudina Magjistari: Po si të xhirohej vetëm po të kishte helikopter pastaj, se ndryshe nuk bëhej.

Ylli Baka: Të gjithë kështu thoshin “Ylli me helikopter zbrite”. Zbritja ishte shumë më e thjeshtë./tvklan.al