Mbi automjetin “Audi A7” u zbrazën mbi 17 plumba, në vendngjarje u sekuestruan 2 gëzhoja
Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë referimin nga policia për vrasjen e Erigers Mihasit dhe Armand Dumanit. Burime bëjnë me dije se në drejtim të makinës “Audi” të bardhë ku udhëtonin dy viktimat janë qëlluar mbi 17 plumba. Nga këqyrja që i është bërë makinës janë konstatuar 17 gjurmë plumbi në pjesë të ndryshme të automjetit, ndërsa nuk dihet ende se sa plumba kanë prekur xhamat.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy gëzhoja, ndërsa 4 të tjera janë gjetur në makinën tip “Toyota” që u dogj në afërsi të Thumanës. Po ashtu janë dërguar për ekspertizë balistike dy armët kallashnikov që u gjetën brenda makinës që dyshohet se u përdorën nga autorët në ngjarje. Do të jetë laboratori i balistikës që do të përcaktojë nëse gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes,përputhen me dy armët që u gjetën në makinën e shkrumbuar në Thumanë.
Sipas dosjes nuk janë të përcaktuara qartë lëvizjet që kanë bërë dy viktimat me makinë, por ka dyshime se kanë qenë në ndjekje. Hetuesit janë duke sekuestuar kamerat e sigurisë së të gjitha bizneseve nga rruga e aeroportit të Rinasit dhe nga Kamza në mënyrë që të përcaktojnë intenerarin e lëvizjes së autorëve.
Në dosje thuhet se Erigers Mihasi kishte ardhur në Shqipëri disa ditë më parë nga një vend i BE-së. Automjeti “Audi A7” ishte në emër të Mihasit dhe kishte pak kohë që e kishte blerë. Po ashtu janë verifikuar disa persona nga hetuesit për të parë nëse kanë qenë në vendin e ngjarjes por deri më tani pa rezultat.
Mihasi ishte personazh i skeduar nga drejtësia për shkak të rekordeve kriminale. Edhe Dumani ishte një emër i njohur për drejtësinë për shkak të të shkuarës problematike. Në automjetin e viktimave nuk është gjetur asgje e jashtëligjshme. Si pistë kryesore mbetet ajo e përplasjes me grupe kriminale.
Klan News