Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ekzekutimin e Erigers Mihasit dhe Armand Dumanin mbrëmjen e së shtunës në zonën e “Astrit”. Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se kamerat e sigurisë të kompanisë që po bën punimet në zonën e Unazës së Re kanë filmuar atentatin.

Autorët duken vetëm si hije. Ata mbajnë kapele dhe nuk bëhet i mundur identifikimi i tyre. Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se automjeti i autorëve ishte i vjedhur dhe denoncuar në Korrik të këtij viti.

Nga makina e djegur në Thumanë përveç dy armëve që dyshohet se u përdoren në ekzekutim nuk është bërë i mundur të përftohen prova të tjera. Armët janë me numra serial të fshirë.

Mjeti tip “Audi” ku shofer ndodhej 32-vjeçari Mihasi dhe 26-vjeçari Dumani po qëndronte si pasagjer u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë në ecje. Mihasi është person me precedentë të mëparshëm penalë. Emri i tij ka dalë në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku Mihasi u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit.

Gjithashtu ai dyshohet edhe si personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushërinjve Mumajesi në Tiranë. Mihasi dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2017 në Laç, ku ka mbetur i plagosur Rudolf Toma, punonjës në bashkinë e Kurbinit. Ai njihej si mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin që u vra më 27 gusht të vitit 2019.

Mihasi është arrestuar në vitin 2019, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. Por ai fitoi pafajësinë për këtë krim dhe u lirua disa muaj më pas. 

Ndërkohë 26-vjeçari Armand Dumani njihet nga Policia e Tiranës si person me lidhje me shtetas me precedentë dhe i dyshuar për armëmbajtje pa leje./tvklan.al