Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia mund të intensifikojë sulmet në verilindje të Ukrainës. Trupat ruse janë përpjekur të ecin përpara ndërsa forcat e armatosura të Ukrainës përpiqen të mbështesin një vijë të dobësuar të frontit.
Zelensky pranoi se ka probleme me personelin ushtarak, duke thënë se një numër brigadash ekzistuese janë bosh. Ai tha gjithashtu për agjencinë e lajmeve AFP se flota ajrore e vendit mungon dhe përsëriti thirrjet për aleatët që të dërgonin më shumë mbrojtje ajrore dhe avionë luftarakë.
“Sot kemi rreth 25% të asaj që na nevojitet për të mbrojtur Ukrainën. Që Rusia të mos ketë epërsi ajrore, flota jonë duhet të ketë 120 deri në 130 avionë modernë”, tha Zelensky.
SHBA miratoi së fundmi një paketë të re ndihme prej 61 miliardë Dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin mbështetje ushtarake. Forcat ruse kohët e fundit filluan një ofensivë në kufirin veri-lindor të Ukrainës pranë Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të vendit.
Guvernatori rajonal i Kharkiv, Oleg Synegubov tha se rreth 10,000 njerëz janë detyruar të largohen nga banesat e tyre brenda pak ditëve./tvklan.al