Shumë fshatra të qarkut të Elbasanit kanë festat e tyre të cilat i organizojnë për çdo vit. Këtë të dielë në Gjinarin turistik u zhvillua festa ‘Miqtë e Malit’.
Kjo festë ka si synim evidentimin e vlerave historike dhe trashëgimisë kulturore të zonës së Shpatit, duke promovuar bukuritë natyrore, veshjet karakteristike si dhe prodhimet autoktone.
“Ushqimet janë bio, të freskëta, të pastra. Djath dhie, djath lope, gjizën, gjalpin, i kemi të gjitha produktet.”
Ndërsa nuk mungojnë iniciativa për zhvillimin e sporteve si hipizmi etj.
Drejtori i Trashëgimisë kulturore në Bashkinë Elbasan, Artur Guni shprehet se festa “Miqtë e Malit” në Gjinar është kthyer në traditë.
“Është një festë që promovon turizmin mbi të gjitha. Jo vetëm thjesht që mbledh njerëzit të argëtohen me njëri-tjetrin këtu, por synimi është promovimi i vlerave turistike. Është një zonë shumë e pasur me trashëgimi historike dhe kulturore gjithë zona e Shpatit ku Gjinari është qendra dhe normal që ndihmon. Nga viti në vit vjen organizimi më i mirë, por sivjet përveç organizimit Bashkia ka sjellë edhe investimin e qendrës së Gjinarit.”
Kjo festë merr vlera të veçanta pasi gërshetohet e kaluara me të tashmen dhe gjithçka vihet në shërbim të turizmit dhe rritjes ekonomike të banorëve të zonës.
Klan News