Lufta për titullin kampion është ende e hapur, por te Napoli kanë filluar të mendojnë për të ardhmen. Klubi napolitan nuk arriti të bëjë një lëvizje të madhe në sulm pas largimit të Khvicha Kvaratskhelia, megjithatë një goditje në sulm pritet të realizohet në merkaton e verës.

Sipas “Il Mattino”, drejtori sportiv, Giovanni Manna dhe stafi i tij po punojnë për të sjellë  në Campania Karim Adeyemi , protagonist në Champions League. Kontaktet me Borussia Dortmund nuk janë ndalur kurrë që nga marrëveshja e dështuar në Janar dhe Napoli mund të rrisë ofertën në fund të sezonit.

Ardhja e Okafor nuk e ka kënaqur Antonio Conte-n, i cili dëshiron diçka tjetër për vitin e ardhshëm. Nëse Adeyemi nuk realizohet, atëherë Napoli mund t’i drejtohet një tjetër emri të preferuar në kampin jugor siç është Edon Zhegrova, kontrata e të cilit me Lille skadon në vitin 2026.

Një situatë që favorizon Napolin, pasi shqiptari nuk ka dhënë sinjale rinovimi. Kjo do ta shtyjë akoma dhe më shumë Lille që të ulë kërkesat dhe ta shesë për të mos e humbur pa asnjë cent në verën e 2026.

Klan News