Zona e ish-Bllokut shumë shpejt do të kthehet në një zonë me prioritet vetëm kembësorët. Bashkia e Tiranës ka prezantuar projektin “Tirana Walk 2021” që parashikon kthimin e ish-Bllokut, në zonë këmbësore, ku parkingu dhe lëvizja e makinave në disa prej rrugëve do të jetë e ndaluar.
Kryeministri i pranishëm në aktivitetin e prezantimit të projektit tha se shtimi i korsive për makina nuk është zgjidhja për trafikun sipas tij duhen nisma që dekurajon përdorimin e automjeteve.
“Ti shmangemi idesë fikse që për të ulur fluksin e trafikut duhet të zgjerosh rrugët. Kjo është tërësisht e pavërtetë, madje është e kundrëta e vërtetë”, tha Rama.
Edhe pse pranon se po ndërhyn në një specialitet të ish-aleatit të tij Nard Ndoka jep dhe receta për të mirat që sjell të qënit një këmbësor.
“Demokracia ka ardhur me shumë kolesterol në Shqipëri dhe falë shumë helmeve dhe shumë ushqimeve që mirë është që të evitohen”, thekson Rama.
Projekti “Tirana Walk 2021” i referohet tre rrugëve kryesore të Bllokut, rrugës Ismail Qemali, rrugës Pjetër Bogdani dhe Brigadës së VIII. Ai gjithashtu do të aplikohet në kryqëzimet e këtyre rrugëve me rrugën Sami Frashëri si dhe përfshin disa rifinitura të rrugës Vaso Pasha.
Rrugët Brigada VIII dhe Pjeter Bogdani do të çlirohen nga rreshti i parkimit, i cili do t’i shtohet hapësirës së trotuarit, ndërsa rruga Ismail Qemali, një nga arterieriet kryesore te zonës do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi.
Tv Klan