Dy persona me motor dhe skafandra, të cilat e bëjnë të pamundur identifikimin e tyre deri tani, grabitën një takstit i cili pretendon se po transportonte më shumë 200 mijë euro nga një pikë e këmbimit valutor në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut.
Siç raporton gazetari i Klan News Besart Bajraktaraj, autorët kanë pasur dijeni të plotë të transportit të parave, pasi kanë thyer xhamin kur paratë ishin në një çantë. Njëri prej tyre ka futur kokën, e ka marrë dhe janë larguar me shpejtësi. Aktualisht, hetuesit e Komisariatit nr.2 po marrin në pyetje pronarët e “exchange”-it dhe shoferin e taksisë për të zbardhur ngjarjen. Po këqyren pamjet e kamerave të sigurisë për lëvizjet e motorit dhe lokalizimin e tij. Hetuesit dyshojnë se ata kanë pasur dijeni të plotë të transportit të parave, gjë që nuk përjashton mundësinë e bashkëpunëtorëve shumë të afërt.
“Më datë 04.10.2024, në zonën e Ish-Bllokut, dy persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë parash shtetasit N. B., shofer taksie, dhe më pas janë larguar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, njofton policia për rastin./tvklan.al