Në mbledhjen e sotme me grupin, kryeministri Edi Rama kishte marrë me vete “Zonjën e Drejtësisë”. Duke e mbajtur në dorë pikturën me simbolin universal të drejtësisë, kreu i qeverisë tha se po të mos ishte Partia Socialiste ajo do kishte pamje krejtësisht tjetër.

“Kjo është zonja e drejtësisë, kështu e kanë konceptuar shumë e shumë kohë më parë ata që kanë vënë themelet e civilizimit tonë. Ne jetojmë në një civilizim që falë romakëve bazohet te një postulatë që nuk ka afrim, largim apo keqkuptim që e hedh poshtë. Barra e provës i takon akuzuesit dhe jot ë akuzuarit. Shekull pas shekulli, deri sa u ngrit kjo Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut, drejtësia është kuptuar kështu. Me shpatën në dorë, peshore për të gjykuar dhe sytë e lidhur për të qëndruar terësisht e verbër, qoftë në anën e prokurorëve apo të akuzuarit. Po të mos ishim ne, kjo zonja do ishte e shtrirë, bufi i kënetës këtu me vemje e krimba mbi të duke i ngrënë rrobullitë. Kështu do ishte skulptura para reformës në drejtësi. Këtë zonjë në këmbë e ngriti PS, vendosmëria dhe vullneti ynë, dhe këtë shpatën ia dorëzoi ky pushtet i shumicës, pasi e përdori qysh nga 1912-a.”


Sipas Ramës, drejtësia sot në Shqipëri është në këmbë (falë mazhorancës) dhe me shpatë në dorë…Por nuk ka peshore e as ka sytë e mbyllur!

“Zonja sot është në këmbë, ka dhe shpatën, i mungon peshorja, por i ka sytë me gjak. Pikërisht se i ka sytë me gjak ne kemi arritur të shikojmë arsyetime gjykatësish që thonë me shkrim, populli kërkon një dënim më të madh për x-in sepse populli ka mosbesim. Ky është fundi! Kjo është gjuha e Vladimiroviç Putinit, jo e Europës”, u shpreh ai.

/tvklan.al