Kryeministri Edi Rama mohon kategorikisht që Turqia të jetë bërë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar. Në një intervistë të gjatë dhënë për televizionin grek MEGA, Rama thotë se këto janë teori konspirative pa asnjë fakt.

“Po qesh se dhe këtu jemi të ngjashëm. Gjatë zhvillimit të çështjes që na bllokoi, kam parë teori të çmendura konspiracioni në median greke. Këtu pastaj jam mësuar se dhe këtu jemi shumë krijues. Interesante është se teoritë konspirative nuk bazohen në prova. Kurrë ndonjëherë në këtë marrëdhënie të gjatë Presidenti Erdogan nuk më ka përmendur një gjë të tillë”, u shpreh Kryeministri.  

Rama këmbëngul se Tirana dhe Athina duhet të ulen për ta zgjidhur këtë çështje duke lënë pas të kaluarën.

“Kërkon që të dyja palët të ulen e punojnë e të mos shpërqendrohen nga gjërat që ndodhin dhe të na mbajnë peng për një kohë të gjatë, por Shqipëria nuk ka ndryshuar qëndrim. Siç e dini mirë, ne jemi shumë të ngjashëm. Ne kemi një thënie: Të djegësh jorganin për një plesht”, thotë Rama.

Në këtë linjë, kreu i qeverisë shqiptare thekson se të dyja vendet duhet të zgjidhin të gjitha çështjet e mbetura pezull, siç është edhe heqja e ligjit të luftës nga Greqia.

“Për ne është e rëndësishme t’i jepet fund ligjit absurd të luftës. Ligjërisht jemi në luftë. Jo nuk është shfuqizuar dhe duhet të shfuqizohet. Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi nënshkruar një traktat miqësie por ligji është në fuqi. Kështu sipas traktatit jemi miq shumë të ngushtë, por armiq sipas ligjit të luftës. Kjo është njëfarësoj marrëdhënia skizofrenike që kemi si fqinj”, deklaroi Rama.

Hedh poshtë çdo pretendim për diskriminim të minoritetit grek, ndërsa pretendimet për grabitje të pronave të tyre i quan sërish pa asnjë provë.

“Kjo është një tjetër teori e kotë sepse nuk është bazuar në prova. Unë dua të shoh prova sepse këto janë prendime të rënda dhe duhet të bazohen në prova”, tha Kryeministri.

Rama foli për perspektivën europiane të vendit tonë, zgjedhjet parlamentare të 11 Majit si dhe investimet e huaja, përfshi edhe atë të Jared Kushner, si investitor strategjik në ishullin e Sazanit ndërsa sqaroi edhe një herë pse ndryshoi qëndim për Donald Trump.

“Në 2016 nuk i kisha të gjithë flokët e bardhë. Isha më i ri dhe ai nuk ishte president, ishte kandidat. Më pas u bë president. Munda ta shoh në veprim nga afër, e sigurisht kam ndryshuar mendim”, u shpreh Kryeministri Rama.

Tv Klan