Kryeministri Edi Rama deklaroi para grupit parlamentar të PS-së se hetimin për Universitetin Bujqësor e ka nisur Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Policia e Shtetit. Madje sipas tij, ata janë pas shumë hetimeve, pavarësisht se lavdinë e marrin institucione të tjera.
Rama tha se inkurajon çdo hetim, por paraburgimet me “të rënë të lapsit” dhe “noterizimet në Gjykatën Speciale” nuk i pranon më. Kreu i qeverisë u shpreh se ky film është parë në kohën e komunizmit dhe kjo është arsyeja pse demokracitë kanë ndërtuar këtë sistem balancimi.
“E dini kush e ka nisur hetimin në UBT? E kanë nisur Shërbimi Informativ Kombëtar dhe Policia e Shtetit. Dhe e them këtë për dy arsye. E para se nuk degë dhe gjethe afër meje që nëse i ka hyrë miza unë të shmang krasitjen. Përkundrazi edhe një nga arsyet pse e kam dashur kaq shumë SPAK dhe drejtësinë e re është që të ndihmojë në krasitjen e kësaj peme këtu me instrumentet e drejtësisë.
Fakti që SHIK dhe Policia e Shtetit kanë nisur atje një hetim që pastaj ka kaluar te SPAK flet qoftë për vullnetin për të mos lënë asgjë të bjerë në tokë për sa kohë ka indicie që ka probleme, flet qoftë për faktin që jo vetëm unë nuk i kontrolloj institucionet siç kujtojnë ata që as nuk e dinë fare çfarë është të bësh këtë detyrë apo ata që kur e kanë bërë këtë detyrë kanë bërë vetëm kontroll institucionesh, por përkundrazi dhe Policia e Shtetit bashkë me Shërbimin janë pas shumë operacioneve që lavdinë e marrin të tjerë, por kjo nuk ka asnjë problem. E solla këtë shembull këtu për të thënë që s’kam asgjë kundër hetimit, por inkurajoj deri në fund të dalin deri në fund ata që kanë prekur qoftë dhe 1 euro të buxhetit të shtetit, por ama këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale me filozofinë që çfarë çojmë ne atje ata vetëm e firmosin se ne jemi Amerika, këtë nuk e pranoj më dhe s’kam për ta pranuar më. Jam i bindur që shqiptarët e ndershëm dhe shqiptarët që nuk janë të verbër mendojnë kështu. E kemi parë këtë film në kohë të tjera. Prandaj demokracitë e kanë ndërtuar këtë sistem balancimi”, tha Rama./tvklan.al