Teksasi u bë shteti i parë amerikan që kaloi të mërkurën 1 milion raste me koronavirus; Kalifornia është në vend të dytë me një diferencë që po ngushtohet.
Zyrtarë të shëndetësisë në shtetin e dytë më të madh për nga popullsia regjistruan 10,800 raste të reja të martën – një shifër e re rekord.
Megjithëse nuk ka sinjale që zyrtarët do të vënë në zbatim masa emergjente kufizuese për të ngadalësuar përhapjen, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se një zyrtar bashkiak në Fort Uorth, qyteti i pestë më i madh në këtë shtet, po bën thirrje për pezullimin e aktiviteteve sportive për fëmijët dhe të rinjtë.
Disa spitale rurale kanë ngritur tenda që shërbejnë si klinika shëndetësore.
Të mërkurën, zyrtarë shtetërorë të shëndetësisë njoftuan për 6,779 pacientë të shtruar në spitale, pasi pati 609 pacientë të rinj – një ndër rritjet më të theksuara ditore të regjistruara në këtë shtet.
Gjendja në Vend
SHBA regjistroi 61,964 pacientë të shtruar në spitale të martën, duke thyer me më shumë se 2000 pacientë nivelin rekord për rastet brenda një dite të shënuara në mes të prillit.
Me keqësimin e gjendjes së pandemisë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka rishikuar udhëzimet lidhur me maskat, duke thënë të martën se vënia e maskave nuk mbron vetëm të tjerët, por edhe personin që mban maskë.
Qendra citon disa studime që konfirmojnë se “vënia e maskave ndihmon për të kontrolluar përhapjen e virusit, përfshirë një studim me dy stiliste që mbanin maska, megjithëse ishin të infektuara dhe kishin simptoma të sëmundjes. Studimi arrin në përfundimin se nga që kishin vënë maskë, stilistet nuk infektuan 67 klientë që më pas u kontaktuan nga gjurmuesit e përhapjes së infeksionit”.
SHBA, rreziku i rikthimit të një vale të dytë të pandemisë
Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo vendosi të mërkurën një raund të ri kufizimesh që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit ndërsa niveli i infeksioneve dhe shtrimeve në spital po rritet në shtetin që ishte epiqendra e shpërthimit në SHBA, në fazat e hershme të pandemisë.
Zoti Cuomo urdhëroi mbylljen e bareve, restorante dhe palestra në të gjithë shtetin duke filluar prej orës 10:00 në mbrëmje si dhe kufizoi në 10, numrin e njerëzve që mund të marrin pjesë në festa private.
Masat e reja, të cilat hyjnë në fuqi të premten, vijnë një ditë pasi Kalifornia dhe disa shtete të Amerikës qendrore forcuan kufizimet ndaj banorëve të martën në një përpjekje për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit.
“Ky është shansi ynë i fundit për të ndaluar një valë të dytë“, shkruante në një postim në tëitter të mërkurën kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut Bill de Blasio.
Ndërsa numri i infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19-s po rriten në të gjithë vendin, po shtohen gjithnjë e më shumë sinjalet se një valë e dytë mund të përfshijë zonat në verilindje, të cilat ia kanë dalë deri tani të vendosin nën kontroll pandeminë pas goditjes që morën në pranverë.
CDC-ja ka raportuar rreth 240 mijë vdekje nga koronavirusi.
Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 1,450 vdekje të martën, shifra më e lartë e regjistruar brenda një dite që nga mesi i gushtit, sipas një analize të agjencisë Reuters.
Në Nju Xhersi, një nga pikat e nxehta të hershme në SHBA, një rritje e madhe e rasteve në Neëark, qyteti më i madh i shtetit, detyroi Kryetarin e Bashkisë Ras Baraka të zbatojë masa agresive, përfshirë një ndalim-qarkullimi për zona të caktuara.
Në Newark, niveli i rasteve pozitive me koronavirus u rrit në 19 për qind, më shumë se dyfishi i mesatares shtatë-ditore të shtetit prej 7.74 për qind siç tha zoti Baraka në një deklaratë të martën.
Guvernatori i Nju Xhersit Phil Murphy njoftoi disa kufizime të hënën si përgjigje ndaj rritjes së rasteve me COVID-19 në shtet dhe shpërthimit të rasteve pozitive mes banakierëve.
Në shtetin e Marilendit, ku shkalla e rasteve pozitive me COVID-19 u regjistrua 5.6 për qind të mërkurën, zyrtarët njoftuan për rritje të numrit të shtrimeve në spital.
Më shumë se 800 persona po trajtohen për koronavirus në spitalet e këtij shteti që nga e mërkura, numri më i lartë ditor që nga muaji prill sipas Mike Ricci, drejtori i komunikimit i Guvernatorit Larry Hogan.
Të martën një numër rekord njerëzish kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në disa shtete qendrore e perëndimore, përfshirë Alaskën, Indianën, Mizurin, Dakotën e Veriut, Uiskonsin dhe në shtetin Uajoming.
Zyrtarët në shtetet më të goditura nga virusi iu lutën banorëve të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi e të dëgjojnë këshillat e ekspertëve duke vendosur maska, duke larë duart dhe duke ruajtur distancën fizike. /REL