Anija e mbërritur në portin e Durrësit dyshohet se ka në të 102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme. Pas kthimit në vendin e origjinës, pikërisht në Shqipëri, ato po mbahen të monitoruara 24 orë nga kamerat për të garantuar sigurinë fizike dhe mjedisore.

Gazetarja Bleona Metushi, e ftuar në emisionin “Opinion”në Tv Klan konfirmon se prokuroria e Durrësit ka marrë mostra nga anija. Këto mostra do të dërgohen në një laborator të specializuar jashtë vendit për të marrë një përgjigje përfundimtare.

Blendi Fevziu: Mbetje të rrezikshme dyshohet që ka në të 102 kontejnerët apo që mund të  jetë në ndonjë prej tyre?

Bleona Metushi: Sipas raportimeve të Basel Action Network dyshohet në fat që të gjithë kontejnerët kanë mbetje të rrezikshme të cilat janë prodhuar nga fabrika në Shqipëri e Kurum-it dhe është hiri i oxhaqeve i cili konsiderohet sipas kësaj organizate, i rrezikshëm. Ajo çka mua më kanë infromuar gjatë ditës së sotme është në fakt se prokuroria e Durrësit ka arritur të marrë mostra të cilat i ka konsideruar të nevojshme…

Blendi Fevziu: I ka marrë prokuroria mostrat?

Bleona Metushi: Po.

Blendi Fevziu: Në anije?

Bleona Metushi: Po, në anije. 

Blendi Fevziu: Po kanë kamerat aty dhe përfaqësuesit e Basel Action Network?

Bleona Metushi: Kam përshtypjen që jo, por gjtihçka është e konfimuar me anë të procesverbaleve të sekuestrimit të materialeve për t’u çuar më pas në laboratore ku pritet të kryhen dhe analizat e nevojshme. Ajo që m’u konfirmua është që prokuroria nuk e ka vendosur ende se ku do t’i çojë, por me shumë gjasë do t’i çojë në një laborator jashtë vendit pasi në Shqipëri nuk konstatohet të ketë një laborator të specializuar për të nxjerrë një përgjigje reale se çfarë mbetjesh ka në kontejnerë.

Dyshohet se në kontejnerë mbetjet janë hi nga oxhaqet metalurgjike dhe pas sinjalizimit nga Basel Action Network, anija u refuzua nga Tajlanda që ishte destinacioni final./tvklan.al