294 mijë shqiptarë nga 107 vende të ndryshme botës paraqitën kërkesë në KQZ për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit deri mesnatën e së Martës kur ishte edhe afati i fundit për këtë proces.
Prej tyre KQZ ka regjistruar afro 236 mijë emigrantë, ndërkohë që ka refuzuar për mosplotësim dokumentacioni afro 44 mijë kërkesa të tjera.

Mbi 15 mijë kërkesa janë ende në proces shqyrtimi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shqyrtojë brenda 5 ditëve. Numrin më të madh të emigrantëve të regjistruar për të votuar e ka Italia me afro 88 mijë persona ose 37.3% e tyre e ndjekur nga Greqia me afro 64 mijë ose 27%. Më pas vijnë Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca e të tjera. Sa u takon qarqeve ku do të votojnë zgjedhësit nga jashtë, Tirana ka numrin më të lartë të kërkesave të aprovuara me mbi 50 mijë persona. Më pas vijnë Fieri, i ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Shkodra, Berati, Lezha, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi.


Vetëm ditën e fundit u regjistruan mbi 3200 persona ndërsa dita me më shumë të regjistruar është 2 Marsi me mbi 10 mijë të regjistruar. U mbyll kështu një proces i hapur në 11 Janar, i pari për zgjedhjet shqiptare. Partia Demokratike kërkoi ditën e fundit që afati i regjistrimit të diasporës të shtyhej deri në 9 Mars, por mazhoranca e rrëzoi kërkesën në Komisionin Rregullator. Një tjetër kërkesë e opozitës e refuzuar më herët ishte votimi i diasporës me dokumentet e vendeve ku jetojnë.

Për 11 Majin emigrantët mund të votojnë edhe me dokumente të skaduara ndërsa shpenzimet për marrjen dhe dërgimin me postë të fletës së votimit do të mbulohen nga qeveria. Votat do të numërohen në KQZ dhe rezultatet do të shpërndahen sipas qarqeve që u përkasin.

Tv Klan