Afati i regjistrimit të emigrantëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit përfundoi mesnatën e së martës. 

Mbi 294 mijë zgjedhës nga jashtë vendit kanë bërë kërkesë për regjistrim për zgjedhjet e 11 Majit, ndërsa janë miratuar mbi 231 mijë kërkesa. Numri i emigrantëve që u është refuzuar kërkesa për regjistrim është mbi 41 mijë. Në shqyrtim nga KQZ janë mbi 20 mijë kërkesa.

Interes më të lartë për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 Majit kanë shfaqur shqiptarët që banojnë në Itali, më pas renditen shqiptarët në Greqi dhe ata në Gjermani.

Më herët, Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rrëzoi me tre vota kundër dhe dy vota pro propozimin e opozitës për të shtyrë deri më 9 Mars procesin për të gjithë emigrantët.

PD kërkonte që shtyrja të bëhej për të gjithë emigrantët për 5 ditë, ndërsa PS ishte dakord në parim, por që kjo shtyrje të realizohej vetëm për ata emigrantë të cilët kanë aplikuar më parë dhe nuk ishin regjistruar dot në sistem për shume arsye teknike.

Kodi zgjedhor parashikon edhe një tjetër mundësi të fundit për shqiptarët e refuzuar dhe koha është pas datës 9, kur del lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë. Pas këtij momenti, të gjithë ata që janë në sistem, si të pranuar ose të refuzuar, kanë 48 orë kohë për saktësime të mëtejshme.

Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve miratoi regjistrimin e 3 koalicioneve për zgjedhjet e 11 Majit. Në zgjedhje do të garojnë koalicioni “Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore” e përbërë nga PD e Berishës, PL e 24 forca të tjera politike, koalicioni Nisma Shqipëria bëhet si dhe koalicioni tjetër Djathtas për zhvillim.

Klan News