Sali Berisha është i bindur se maksimalizimi i çdo vote në formacionin politik të koalicionit që do të drejtojë në zgjedhje do i mundësojë fitoren në 11 Maj. Në një deklaratë për mediat kreu i demokratëve tha se 26 partitë e koalicionit, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore përfaqësojnë një të tretën e elektoratit.

 “Në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar. Pavarësisht se të marra veçmas janë parti modeste në votat e tyre, por të marra së bashku kanë një elektorat qindra mijëra votash”, tha Berisha.

Pas refuzimit të kërkesës së opozitës për ta shtyrë deri në 9 Mars zgjatjen e afatit për regjistrimin e diasporës, Sali Berisha tha se qëndron Kryeministri Rama dhe arsyen e sheh tek frika që thotë se ka nga vota e lirë.

“Refuzimi kategorik i Edi Ramës dhe përfaqësuesit të tij, Damian Gjiknuri, dëshmon frikën dhe tmerrin që i ka kapur ata dhe partinë e tyre të krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit. Ky refuzimi është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit. Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara”, tha Berisha.

Edi Rama paralajmëroi një udhëtim përtej oqeanit, por Sali Berisha sqaroi se mesazhi që i kishte dhënë Kryeministrit kishte lidhje me dosjen McGonigal.

“Sa të jetë i padënuar, do të udhëtojë. Por mesazhi im ishte tjetër ai. Kur i thashë a të ka ardhur ndonjë mesazh, nuk kisha parasysh vizën, kisha parasysh Charles McGonigalin. Nuk tha jo, ç’ka do të thotë se një hosten e ka marrë atë”, tha Berisha.

Kryeministri nuk lë rast pa ia ironizuar ekipin e tij të dalë nga primaret, por në kundërpërgjigje Berisha i kujtoi bandën që tha se do të diktojë kandidatët e mazhorancës në këto zgjedhje.

“Imagjinoni padrinon në bodrumin e tij, që nuk dini asnjëri prej jush se kush kandidon në këtë qark apo atë qark sepse listat po bëhen nga organizatat e tjera kriminale”, tha Berisha.

Berisha iu rikthye sërish akuzave për kapjen e SPAK-ut nga Kryeministri, teksa tha se Rama qëndron pas arrestimit të Veliajt.

Tv Klan