“Tërheqja e fytyrës” është një nga ndërhyrjet më të preferuara estetike. Zgjedhja e bisturisë për të përmirësuar imazhin cilësohet shpesh nga kirurgët plastikë si një opsion i sigurt, por kjo nuk është e gjithë historia.
Marrja e një vendimi të tillë vjen me disa surpriza si ënjtja, mavijosja dhe 12 të vërteta që çdokush që e konsideron tërheqjen e fytyrës duhet t’i dijë. Kushton para dhe kohë, do të ënjteni, mavijoseni dhe ndoshta pendoheni. Do të ketë surpriza por në pjesën më të madhe të rasteve, shumë pacientë thonë se “do ta bënin sërish”.
1.Termi nuk bën atë që mendoni
Kjo ndërhyrje nuk e tërheq gjithë fytyrën lart. Në të vërtetë, tërheq më shumë pjesën e poshtme të saj dhe qafën. Sot, indet dhe pjesët dhjamore ripozicionohen, ndërsa ligamentet lëshohen për të siguruar një pamje më të re. Kjo do të thotë se përfitimet e kësaj ndërhyrjeje janë kryesisht për pjesën e qafës. Por shpesh mund të mos jetë ajo që kërkoni çka na sjell tek…
2. …Tërheqjet e fytyrës kombinohen me të paktën një ndërhyrje tjetër
Zakonisht tërheqjet e fytyrës shoqërohen me ripozicionim të dhjamit apo tërheqje të kapakëve të syve etj. Ka raste kur një pacient mund të kryejë deri në 4 ndërhyrje. Kjo për shkak se për të pakësuar rrudhat, nevojitet ripozicionimi i dhjamit nga një pjesë tjetër e trupit në fytyrë, apo kryhet dermabrazion rreth buzëve ose një ‘peeling’ kimik.
3. Mund të mos i nënshtroheni anestezisë së përgjithshme
Ka pacientë që mund t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje 9-orëshe, por me anestezi lokale. Mund të përdoret gazi qeshës dhe pacienti mund të ndiejë tërheqjen derisa kirurgu të aplikojë anestezinë lokale.
4. Shërimi s’është i lehtë
Shërimi zgjat më shumë sesa mendoni pasi mund të shkojë deri në 4 muaj. Nëse keni luksin për të pushuar, një muaj apo 6 javë janë periudha e duhur. Pas 3 javësh, mund t’i riktheheni jetës së përditshme. Megjithatë duhen disa muaj që prerjet dhe lëkura të shërohen plotësisht.
5. Do t’i shmangeni pasqyrës
Pas operacionit, shumë pacientë preferojnë të shmangin pasqyrën për shkak të mavijosjes dhe ënjtjes. Duhet të keni pritshmëri të vërteta sepse në javët e para, vetja do t’ju duket e huaj.
6. Disa pjesë të fytyrës mund të humbin ndjeshmërinë për muaj të tërë
Ky është një efekt anësor i tërheqjes së lëkurës. Nuk është i dhimbshëm por mund të duket i çuditshëm dhe zgjat nga disa muaj deri në gjysmë viti. Për disa pacientë, deri në 6 javë pas ndërhyrjes fytyra u dukej si gur. Nuk ishte e ënjtur por ndihej e tillë dhe jo si lëkurë normale. Kjo shkaktohet për shkak të inflamacionit dhe shërimit të nervave. Zona më e zakonshme ku humbet ndjeshmëria janë veshët dhe qafa.
7. Ankth dhe depresion
Pas disa ditësh, mund të pyesni veten pse e morët vendimin për të bërë një tërheqje fytyre. Por shumë shpejt, pasi të vini re ndryshimet, ndjesia kalon. Kjo mund të zjgasë edhe për disa javë sepse vetë operacioni është i lodhshëm, një traumë e vërtetë nga e cila trupi ka nevojë të rikuperohet, i nevojiten kalori e mbrojtje shtesë. Shërimi kërkon kohë dhe shumë njerëz frustrohen. Por gjithashtu ka edhe efekte psikologjike afatgjatë si rritja e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, përmirësimit të cilësisë së jetesës.
8. Fashat
Në fillim të rikuperimit, mund t’ju duhet të fashoheni për të parandaluar ënjtjen. Fatmirësisht kjo nuk zgjat. Disa pacientë i mbajnë fashat për 2-3 javë, të tjerë i heqin brenda pak ditësh.
9. Pushim
Shmangni peshat, aktivitetet e mundimshme apo edhe përkuljet. Nuk mund të ushtroheni dhe të jeni aktivë ndryshe kërcënoni shëndetin tuaj por edhe rezultatin e ndërhyrjes për të cilën paguat para. Pas 8 javësh, mund të bëni ushtrime të lehta. Ndiqni udhëzimet e duhura për të pakësuar ndërlikimet.
10. Dhimbje
Ditët e para do të ndieni dhimbje, por do të kalojë shpejt. Disa pacientë preferojnë të marrin edhe qetësues në ditët e para pas operacionit. Për të tjerë, situata përmirësohet rreth javës së dytë.
11. Shenjat
Kirurgët dinë si të fshehin prerjet ndaj shumë pacientë nuk i kanë problem. Mund t’i shohin vetëm njerëz që qëndrojnë shumë pranë jush si parukierja apo masazhatorja sepse shenjat fshihen pas veshëve dhe në pjesën e vijës së flokëve. Disa kirurgë rekomandojë edhe lazerin për të zhdukur shenjat.
12. Reduktoni para për rutinën e bukurisë
Pas tërhqjes së fytyrës, shumë pacientë përdorin më pak grim apo injektojnë Botox. Gjithashtu edhe mbushësit janë një shpenzim i reduktuar. Disa e përshkruajnë si një filtër që largon lodhjen nga fytyra dhe e bën të duket më e freskët./tvklan.al