12 viktima dhe 953 të infektuar në 24 orë
24 orët e fundit shënuan një ulje të lehtë të rasteve me Covid në Shqipëri dhe pas 5 ditësh shifrat e të infektuarve zbritën për herë të parë nën 1 mijë. Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 3485 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 953 qytetarë. Duket se janë 171 raste më pak se një ditë më pare, por duhet thënë se edhe testimet kanë qenë më të ulëta.
Përsëri Tirana vijon të mbajë numrin më të lartë të të infektuarve me 372 raste, e ndjekur nga Durrësi me 145 raste, Vlora me 83 raste dhe Elbasani dhe Saranda me 48 raste. Në të gjithë vendin numërohen mbi 32 mijë raste aktive.
Të larta mbeten edhe gjatë 24 orëve që kaluan jetët e humbura pasi u regjistruan 12 viktima.
5 prej tyre janë nga Tirana, 2 nga Kuçova, 2 nga Kavaja ndërsa të tjerët i përkasin Vlorës, Beratit dhe Shkodrës të moshave nga 54 në 76 vjeç. Shkon në 1472 numri i jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë.
Në spitale numri i të shtruarve vijon të rritet. Të hënën në 4 spitalet Covid, po trajtohen 449 pacientë, 36 në terapi intensive nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar.
Fatmirësisht në 24 orët e fundit kanë fituar betejën më Covid 684 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 52,128 që nga fillimi i epidemisë.
Tv Klan