Këto filmime të kamerave të sigurisë dëshmojnë fuqinë e lëkundjeve të tërmetit që goditi mëngjesin e kësaj të marte në Tibet në zonën e Kinës jugperëndimore.

Nga bilanci i deritanishëm rezultojnë 126 të vdekur dhe 190 të plagosur. Pritet që shifrat të rriten në orët në vazhdim, teksa ekipet e emergjencës po përpiqen të shpëtojnë sa më shumë jetë njerëzish të mbetur mes rrënojave të shumta.

Lëkundja më e fuqishme kishte një magnitudë 6.1 të shkallës Rihter me epiqendër rreth 75 kilometra në verilindje të malit Everest, i cili shtrihet në kufirin ndërmjet Kinës dhe Nepalit. Lëkundjet u ndjenë edhe në Nepal, Indi dhe Butan.

Ndërsa 50 lëkundje pasuese tërmeti u ndjenë në një zonë ku banojnë mbi 60 mijë banorë, duke goditur edhe qytetin e shenjtë budist të Shigatsesë.

Autoritetet kineze thanë se mbi 1 mijë banesa janë shkatërruar ose dëmtuar. Kërkimet për të mbijetuar vështirësohen edhe për shkak të temperaturave të ulëta që shkojnë deri në minus 18 gradë Celcius.

Tv Klan