Pas transmetimit të rastit flagrant korruptiv në Universitetin e Shkodrës, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka urdhëruar pezullimin nga detyra të rektorit të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, zonjës Suzana Golemi.

Pezullimi nga detyra, thuhet në njoftimin zyrtar, bëhet me motivacionin “për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit, të transmetuara në emisionin investigativ “Stop”.

Në ushtrimin e funksioneve të rektorit, gjatë pezullimit të zonjës Golemi, ngarkohet Rajmonda Kërcira, me detyrë zëvendësrektor.

Mbrëmjen e së mërkurës, pas një denoncimi ndaj rektores së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi dhe pedagoges Donalda Laçej, të lëndës Biokimi Mjekësore për 3 degë, Mami, Infermieri dhe Fizioterapi, kamera e fshehtë e emisionit “Stop” provoi korrupsionin.

Një student dha 150 Euro në zyrën e rektores, për të kaluar provimin. Një tjetër shqetësim i studentëve ishte dhe libri i Biokimisë Mjekësore, libër me autorësinë e dy pedagogëve në fjalë. Teksti është i vështirë, për t’u deshifruar, por studentët detyroheshin ta paguanin 55 mijë lekë të vjetra./tvklan.al