Gjykata pritet të bëhet funksionale me 6 anëtarë
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Presidentit Ilir Meta dy emra kandidatësh për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese. KED ka miratuar vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar të cilët janë Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo.
“KED do t’i përcjellë këto akte brenda ditës së sotme, pranë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për mediat nga Këshilli i emërimeve në drejtësi.
Anëtarët e KED renditën të parin në listë, Përparim Kalon dhe nëse presidenti nuk zgjedh asnjë prej tyre brenda 30 ditësh ai zgjidhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Sot po shqyrtohet edhe kandidatura e Zhaklina Petos e cila u rikthye në garë nga Gjykata Administrative e Apelit.
Një ditë më parë, para Presidentit u betua Altin Binaj si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili është anëtari i pestë i kësaj gjykate. Zgjedhja e njërit mes Tomës apo Kalos do të kthente në funksionalitet Gjykatën Kushtetuese. Kujtojmë që vazhdimisht ambasadorja amerikane Kim ka bërë thirrje që “Kushtetuesja” të jetë funksionale brenda 31 Dhjetorit./tvklan.al