Ende të paqarta motivet dhe autorët
Shkon në 2 bilanci i viktimave nga atentati i mbrëmjes së kaluar në Kurbin. Pas vrasjes së 37-vjeçarit Bujar Lika, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës edhe njëri nga 2 të plagosurit.
Ai është 53-vjeçari Paulin Gjergji që mori plagë të rënda nga plumbat në oborrin e këtij hoteli në afërsi të rrugës Lezhë – Mamurras.
Është ende në spital nën kujdesin e mjekëve një 21 vjeçar i identifikuar si Kreshnik Tusha. Burime në vendin e ngjarjes thanë se ishte një person ende i paidentifikuar që hapi zjarr drejt viktimave me breshëri kallashnikovi i cili më pas është larguar me shpejtësi.
Në vendin e ngjarjes u gjet një armë kallashnikov, por ende nuk dihet nëse është ajo që ka përdorur autori. Motivet e krimit janë ende të paqarta.
Burime nga grupi hetimor thanë se kanë shoqëruar disa persona në komisariat në përpjekje për të kuptuar mbi arsyet e krimit dhe për të identifikuar autorët.
Të njëjtat burime thanë se po verifikohet e kaluara e 37-vjeçarit Bujar Lika i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Ai kishte disa biznese në zonë. Po verifikohet nëse ai ka pasur konflikte të hapura.
Tv Klan