Civici: Synojmë të rrisim cilësinë dhe standardin për eksport

3.4 miliardë Lekë do të jetë vlera e skemës kombëtare të mbështetjes për fermerët, aplikimet e së cilës pritet të nisin pas datës 27 Mars. Zëvendës ministri i Bujqësisë, Enio Civici shpjegon se si do të ndahet kjo vlerë mes bashkimit të fermave dhe serave.

“2.1 miliardë lekë janë të dedikuara për 7 masat mbështetëse për kulturat e tjera dhe 1.3 miliardë është e dedikuar për skemën e mbështetjes me naftë. Është një skemë që vjen me disa risi. E para lidhet me rëndësinë që ka bashkimi dhe bashkëpunimi i fermerëve. Shuma e përfitimit është në varësi të aplikimeve pasi të bëhet një përpjestim i barabartë për të gjithë në fund”, tha Civici.

Risi e kësaj skeme është heqja e tavaneve për numër krerësh apo sipërfaqesh të mbjella me sera, ndërkohë që këtë vit janë përfshirë edhe kultivuesit e bimëve medicinale.

“Si pasojë patjetër edhe e vuajtjeve që ka pësuar ky sektor nga ndryshimi i normës së këmbimit mundëm të ndërtojmë një element i cili i ndihmon në 30 mijë lekë të reja për hektarë për ferma jo më pak se 1 hektar”, tha zv/ministri.

Teksa vijon puna për të përcaktuar kriteret e përfitueshmërisë, zv.ministri Civici thotë se skema e naftës këtë vit eliminon burokracitë dhe abuzimet.

“Nuk do të ketë më karta direkt të naftës por do të kalojë shuma direkt në llogarinë bankare”, tha Civici.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar që deri në çelje të aplikimeve të zhvillojë fushata informuese me fermerët në të gjithë territorin e vendit, për të bërë skemën më gjithëpërfshirëse.

Tv Klan