Sektori i bujqësisë është sektori me nivelin më të ulë të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë me vetëm 2.1 përqind. Një nga arsyet që këto të fundit japin për mosdhënien e kredive për investimet në bujqësi është risku i lartë. E njohur me këtë arsyetim dhe po ashtu e vetëdijshme për këtë realitet, qeveria siç është lajmëruar dhe nga vetë Kryeministri javën e shkuar do të vendos një garanci sovrane si një fond që do të mbështesë dhe linjën e financimit prej 250 milion Eurosh të vendosur nga Banka e Shqipërisë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë.
“Përmes garancisë sovrane të mbulojë 70% të principalit të kredisë. Norma e interesit do të jetë vërtetë shumë tërheqëse”, shprehet kryeministri Rama.
Garancia sovrane do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural. Kryeministri thotë se këto projekte do të japin rezultate për dy objektiva të rëndësishme, rritje të eksporteve, por dhe për ta çuar sektorin e bujqësisë në nivelin e kërkuar nga BE për të marrë anëtarësimin brenda 2030.
“Nga 1 miliardë Euro eksporte ne arrijmë që të vendosim edhe bujqësinë në të njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme“, deklaron Rama.
Një mbështetje tjetër që qeveria do të ofrojë për një sektor tjetër është ai i agroturizmit përmes Paketës së Maleve.
“Jep një garanci të plotë për lehtësim 100% nga barra fiskale për një periudhë 10-vjeçare”, thotë Kryeministri.
Përfaqësuesit e qeverise dhe ata të bankave folën në takimin e organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe për instrumentat të tjerë që duhen gjetur për të rritur kreditimin e sektorit bujqësor.
“Studimet e kryera në këtë drejtim, kanë evidentuar se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit“, deklaron guvernatori Gent Sejko.
Pavarësisht faktorëve të riskut Rama ju kërkon bankiereve që ta shohin mbështetjen me kredi për fermerët dhe si një mënyrë për tu pastruar nga mëkatet.
“Kjo mund t’jua lehtësojë pak paraqitjen tek Shën Pjetri se përndryshe e keni vendin në ferr”, përmbyll fjalën e tij Rama.
Tv Klan