Sipas të dhënave të fundit të INSTAT që matën të ardhurat dhe nivelin e jetesës në vitin 2023, Shqipëria kishte 42.1% të popullsisë që vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë.
Po të marrim në konsideratë të dhënat e Censit 2023 se popullsia e vendit ëshë 2.4 milionë banorë, rezulton se mbi 1 milion shqiptarë po përjetojnë një nga format e rënda të varfërisë.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa për të ndihmuar këto kategori është e rëndësishme miratimi i minimumit jetik.
Selami Xhepa: Kjo është një sfidë shumë serioze sepse kur flasim për gati 45% të popullatës që jeton dhe e kërcënuar nga varfëria, kuptohet që pesha financiare është jashtëzakonisht e madhe. Kjo dikton nevojën e një programi ambicioz që duhet të fillojë për t’u zgjeruar dhe për t’u konsoliduar në vitet e ardhshme. Në një farë kuptimi është që të pranosh njëfarë kufiri varfërie apo atë që quhet si minimumi jetik dhe kur e njeh minimumin jetik, do të thotë që t’i kompensosh të ardhurat dhe për t’i bërë që familjet të jetojnë mbi minimumin jetik.
Sipas ekspertit Xhepa, është një përqindje shumë e lartë e popullsisë që jeton në varfëri edhe ndaj duhet të merren masa konkrete madje dhe shpërblim në natyrë.
Selami Xhepa: Duhet të mendojmë jo vetëm kompensim në të ardhura, mund të mendojmë për skema të kompensimit në natyrë. Duhet që të mendojmë për grupet e pensionistëve edhe për ata që janë shtresa të vetmuara sepse me ndryshimet demografike, sociale që kanë ndodhur në shoqëri, po krijohen grupe vulnerabël mes kategorive të ndryshme sociale. Duhet të mendojmë për një pluralitet instrumentash ndërhyrje në mënyrë që të lehtësojmë sa më shumë që të jetë e mundur jetën e njerëzve.
Treguesit për varfërinë e popullsisë së Shqipërisë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30%.
Klan News