Është viti i tretë radhazi në pushtet, por presidentja Vjosa Osmani nuk ka falur asnjë të burgosur. Në këtë institucion nga viti 2021 deri më sot, ka arritur në 469 numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar.
Sipas avokatit Ardian Bajraktari mosfalja e asnjë të burgosuri për kaq vite, është dekurajim për këtë kategori.
“Mosshfrytëzimi i kësaj kompetence është dekurajim dhe mbetet në diskrecion të Presidentes për ta vlerësuar sepse nuk po e shfrytëzon këtë mekanizëm i cili në bindjen time do të bënte një risocializim dhe riedukim. Këta persona kur të kthehen në shoqëri të jenë të dobishëm.”
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka sjellë si shembull shtetin e Shqipërisë, ku sipas tij, kanë dhënë amnisti penale dhe kanë falur rreth 1 mijë të dënuar.
“Po abuzohet me një të drejtë kushtetuese.”
Shala ka thënë se ka shumë të burgosur të dënuar të cilët i plotësojnë kushtet për falje, pa rrezikuar situatën e sigurisë.
Klan News