Prokuroria e Tiranës i komunikon akuzën edhe sanitares me të birin, Rozeta dhe Havier Dobi

Ish-zyrtarja Alda Klosi e cila ndodhet në qeli prej disa muajsh është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Tiranës . Klosit i është komunikuar akuza e “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Ajo dyshohet për fshehje të parave dhe një apartament.  Ish-zyrtarja u prangos, pasi sanitarja Rozeta Dobi, deklaroi se shumën prej 500 mijë eurosh e kishte marrë nga banesa e Alda Klosit.

Prokuroria e Tiranës po ashtu i ka komunikuar akuzën edhe Rozeta dhe Havier Dobit, nënë e bir, “vjedhja me pasoja të rënda në bashkëpunim” dhe “vjedhja më shumë se një herë”.

Skandali u zbulua disa muaj më parë pasi në pranga ranë nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi. Ata u kallëzuan për vjedhje nga Alda Klosi. Më pas gjatë një përgjimi ambiental në policinë e  Tiranës u zbuluan se në tubin e aspirimit në banesën e Rozeta Dobit ndodheshin rreth 500 mijë euro.

Gjatë përballjeve mes tyre, Rozeta Dobi pretendon se të gjitha paratë i ka marrë në banesën e ish-zyrtares ndërsa Klosi ka pranuar pronësinë e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve për të cilat ka dorëzuar edhe dokumentat përkatëse për justifikimin e tyre.

Në banesën e sanitares u gjetën edhe disa sende me vlerë disa prej tyre ishin të Alda Klosit ndërsa për disa të tjera ende nuk dihet se kujt i përkasin.  Prokuroria e Tiranës bën me dije se po vazhdon verifikimi dhe hetimi mbi pasuritë e kësaj shtetaseje dhe familjarëve të saj, si dhe do të sekuestrohen pasuritë e pajustifikuara me burime të ligjshme të subjekteve të përfshira në këtë hetim.

Klan News