Janë kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit
Prokuroria e Elbasanit kërkoi thirrjen e 59 dëshmitarëve okular në vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e regjistruar disa ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.
Për vrasjen në akuzë është ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Arbër Paplekaj, i cili me anë të disa shkresave kërkoi zhvendosjen e gjykimit në një gjykatë tjetër për pretendimin se në Elbasan çështja e tij është e paragjykuar.
Megjithatë të gjithë shkallët e gjyqësorit i thanë jo kërkesave të bëra prej tij. Kjo i hapi rrugë gjykimit të Paplekajt dhe në seancën e radhës do të pyeten dëshmitarët e parë të kërkuar nga Prokuroria.
Avokatja e familjes së Pjerin Xhuvanit i tha medias që ky proces duhet të nxjerr edhe përgjegjësit që nuk evituan ngjarjen.
“Është e rëndësishme të evidentohet që ky proces do duhet që të vlerësojë përgjegjshmërinë e të gjithë atyre personave që ishin të pranishëm në atë ngjarje dhe që nuk shmangën humbjen e jetës”, tha avokatja.
Nga hetimet rezultoi se ngjarja ishte pasojë e një konflikti mes grupimit për ruajtjen e votës krijuar nga PD dhe një grupi tjetër qytetarësh, të nisur nga dyshimet se këta të fundit po shpërndanin para për të blerë votat dhe se kishin mbledhur karta identiteti te qytetareve të ndryshëm.
Tv Klan