Gjykata e Lartë e SHBA shqyrtoi ditën e sotme ligjin për kampet e të pastrehëve në vend. Sipas ligjit aktual i cili ditën e sotme u shtrua në gjykatë për t’u rishikuar, parashikohen masa ndëshkimore për të pastrehët të cilën në rastin më të mirë flenë në parqe, rrugë dhe hapësira të tjera publike. Përpos kësaj, parashikohen edhe gjoba deri në 295 dollarë, e në rast përsëritjeje, masa ndëshkimore shkon deri në 30 ditë burg.
Por sipas ekspertëve dhe politikanëve, ligji për ndëshkimin e të pastrehëve shkel rëndë Amendamentin e Tetë të Kushtetutës së SHBA për dënimet mizore dhe të pazakonta, pasi në qytetin jugperëndimor të Oregonit mungon hapësira dhe shtëpitë sociale që mundësojnë strehimin e personave që nuk kanë një banesë të tyren.
Sipas vlerësimeve të qeverisë amerikane, çdo natë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë se 600 mijë njerëz janë të pastrehë.
Mbrojtësit e të pastrehëve, grupe të ndryshme ligjore liberale dhe kritikë të tjerë kanë thënë se ligje si këto i diskriminojnë njerëzit thjesht për faktin se janë të pastrehë dhe për veprime që nuk mund t’i shmangin, të tilla si gjumi në publik. Ata tregojnë për një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 1962 që Amendamenti i Tetë ndalonte ndëshkimin e individëve bazuar në statusin e tyre.
Ndërkaq në diskutimet që u zhvilluan ditën e sotme për rishikim e ligjit pati kundërshtime dhe replika mesa palës liberale që kundërshton ligjin dhe grupit të “Grants Pass”. Një prej anëtareve, Sonia Sotomayor duke iu drejtuar avokates së Grants Pass, Theane Evangelis, shprehu se ky ligj ishte mizor.
“Ku t’i vendosim nëse çdo qyteti, çdo fshati, çdo qyteze i mungon dhembshuria dhe miraton një ligj mizor identik me këtë që kemi tani? Ku duhet të flenë ata? A duhet të vrasin veten, jo të flenë? Kaq e komplikuar është të lejosh dikë, diku, të flejë me një batanije jashtë, nëse nuk ka ku të flejë?!”-tha ajo.
Nga ana tjetër, pala që është mbështetëse ndaj ligjit për të pastrehët, thotë se ai shërben për ruajtjen e sigurisë publike.
Nevoja për rishikimin e ligjit nisi që në vitin 2018 pasi tre të pastrehë ngritën një padi në grup për shkak se kërkonin zhbllokimin e masave ndëshkuese ndaj tyre të vendosura nga “Grants Pass”. Administrata e Presidentit Joe Biden ra dakord me paditësit se “Grants Pass”, duke theksuar se nuk mund të ndalohet fjetja në hapësira publike të qytetit, prandaj dhe ligji duhet të rishqyrtohej.
Vendimi për rishqyrtimin e ligjit për të pastrehët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të jetë gati deri në fund të muajit qershor./tvklan.al