707 raste të reja dhe 4 viktima në 24 orë
Kanë shënuar sërish rritje infektimet ditore me koronavirus në vendin tonë. Ndonëse testimet kanë rënë në raport me një ditë më parë, numri i rasteve të reja në 24 orët e fundit ka pësuar rritje. Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 3307 mostra të mara, janë konfirmuar si mbartës të virusit 707 persona të tjerë. Harta e përhapjes së rasteve të reja është e shtrirë në gjithë vendin, por Tirana vijon të mbetet vatra më e madhe me 267 raste, e ndjekur nga Durrësi me 53, Elbasani 34, Vlora me 30 dhe Berati me 22 raste.
4 qytetarë të tjerë nuk e fituan dot betejën me Covid-19, duke e çuar në 1256 numrin total të viktimave në vendin tonë që nga shfaqja e pandemisë. 2 nga viktimat janë nga Tirana, 1 nga Lushnja dhe 1 nga Fieri.
Një rritje të lehtë kanë shënuar edhe shtrimet në spitale. Autoritetet shëndetësore raportuan se aktualisht po marrin trajtim të hospitalizuar 268 pacientë, 29 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit e fituan luftën me virusin 439 qytetarë, ndërsa mbeten edhe mbi 25100 raste aktive në gjithë vendin.
Tv Klan