“Opinion” erdhi këtë mbrëmje krejt ndryshe nga herët e tjera, m’u në qendrën e Tiranës me një panel të veçantë. Shqiptarë që drejtojnë komuna e bashki në shtete të tjera treguan më shumë për punën e tyre dhe ruajtjen e kulturës e traditave tona.
Prishtina është padyshim qyteti i dytë më i madh i shqiptarëve, pas Tiranës. Kreu i kësaj bashkie Përparim Rama foli për fluksin e popullsisë atje dhe të gjithë planin e transformimit urbanistik.
“Në bazë të Censusit kemi 227 mijë banorë, mirëpo kemi një numër të madh të atyre që jetojnë të paregjistruar në Prishtinë. Në bazë të matjeve të tjera duhet të jenë diku te 400, 450 mijë. Nga ato që vijnë çdo ditë. Kemi një fluks të madh nga të gjitha pjesët e Kosovës, në Prishtinë. Një rritje të vrullshme dhe kemi një numër të madh të atyre që jetojnë e punojnë në Prishtinë. Statistikat thonë se kemi hyrje, jo persona, diku te 800 mijë hyrje në ditë.
Ka pasur fluks të investimeve private, por sa i përket investimeve publike ato kanë munguar. Nuk ka pasur një planifikim të mirëfilltë, tani e kemi një vizion dhe po e transformojmë kryeqytetin. Po bëhen realitet të gjitha ato që i kanë munguar Prishtinës.”
Rama paralajmëroi projekte të mëdha në infrastrukturë, megjithatë moderatori Blendi Fevziu i dha një sugjerim…
Blendi Fevziu: Vetëm pallatet mos i bëni si në Tiranë!
Përparim Rama: Tirana ka ngritur një urbanizëm të mirë, gjë që ka tërhequr shumë turistët.
Kryebashkiaku shtoi se Prishtina ka pasur 30% turistë më shumë se vitin e shkuar.
I vetmi problem që veçoi ishte trafiku.
“Kjo tregon që ka interes në qytetet tona. Është gjë pozitive, por duhet të punojmë për zgjidhjen e tij”, përfundoi ai.
/tvklan.al