Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka mbajtur sonte pritjen shtetërore në nder të 112- vjetorit të Pavarësisë së vendit. Në fjalën e tij ai theksoi se kjo datë përpos historisë mbart në vetvete përgjegjësinë në përkushtimin e vazhdueshëm për një shoqëri të shanseve të barabarta. Ai falenderoi Shtetet e Bashkuara, BE-në dhe çdo aleat tjetër për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë prej 1912-ës.

“Pavarësia jonë matet me cilësinë e jetës së qytetarëve dhe krijimin e një vizioni për të ardhmen më premtuese.”

Begaj shtoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të shërbejnë si një kapitull i ri për klasën politike, pasi vetëm në këtë mënyrë nderohen ata që shpallën Pavarësinë.

“Atdhetarët patriotë 112 vite më parë treguan guxim e vizion, sot më shumë se kurrë politika duhet të ndjekë shembullin e tyre  me dialog të hapur me popullin. Kthejini sytë nga ata që ju përfaqësoni. Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqe të re, është kjo mënyra për të nderuar ata që shpallën Pavarësinë. Hapja e Kapitujve me BE-në është një test për pjekurinë tonë, të ndërtojmë një Shqipëri të denjë për shqiptarët dhe familjen europiane. Të bëhemi bashkë për të prekur ëndrrën europiane. Shqipëria është më shumë se kufijtë e saj, është qytetarët e saj që jetojnë në çdo cep të globit.”

Në mbyllje, Kreu i Shtetit tha se Kosova e Shqipëria janë dy shtete, por një komb.

“Ne si komb, dy shtetet tona duhet të jemi të vetëdijshme për forcën që kemi dhe ta përçojmë në arenën ndërkombëtare. Kosova ka pasur dhe do ketë kurdoherë mbështetjen e Shqipërisë. Republika e Kosovës është realitet që nuk ndryshon, faktor paqeje që nuk ndryshon.”

/tvklan.al