Elvis Presley, ylli i parë i Rock-ut në botë, sot më 8 janar do të mbushte 90 vjet. Këngëtari ikonë i muzikës vazhdon të ketë grupe fansash në mbarë botën, disa prej të cilëve po planifikojnë homazhe për atë që njihet si “mbreti i Rock ‘n’ Roll”.
Elvis Aaron Presley lindi në Tupelo të Misisipit para 90 vitesh, më 8 janar 1935.
Ai u rrit si fëmija i vetëm në familje, sepse vëllai i tij binjak, Jesse Garon, vdiq gjatë lindjes.
Më 1948, Elvisi u zhvendos me prindërit e tij në Memfis të shtetit Tenesi, ku më 1953 mbaroi shkollën e mesme.
Një vit më vonë, ai nisi karrierën muzikore me kompaninë e njohur ‘Sun Records’.
Në fund të vitit 1955, të drejtat e këngëve të tij iu shitën kompanisë ‘RCA Victor’.
Kur arriti moshën 21-vjeçare, ai u bë një sensacion ndërkombëtar.
Më 1958 pati një shkëputje nga arti, sepse artisti iu bashkua ushtrisë, ku shërbeu për dy vite. Më pas iu kthye studios dhe suksesit.
Më 1 maj të vitit 1967 ai u martua me Priscilla Ann Beaulieu, me të cilën pati një vajzë me emrin Lisa Marie. Çifti u divorcua më 1973.
Edhe sot e kësaj dite, Elvisi dhe muzika e tij janë legjendare.
Këngët e artistit Presley janë një kombinim unik i ndikimeve të ndryshme muzikore nga koha e rinisë së tij, ndërsa me krijimin e 150 albumeve dhe këngëve ai sfidoi barrierat sociale dhe racore të asaj kohe.
Elvisi ka shitur mbi një miliard albume në botë, më shumë se çdo artist tjetër.
Por karriera e tij nuk ishte vetëm në muzikë. Elvis Presley luajti në 33 filma të suksesshëm, përfshirë ‘Jailhouse Rock’ më 1957.
Mes shumë vlerësimeve për muzikën e Elvisit ishin edhe 14 emërime për çmimin ‘Grammy’, tre prej të cilave i fitoi, si dhe çmimi ‘Grammy ‘për arritje karriere, të cilin e mori në moshën 36-vjeçare.
Elvisi vdiq në shtëpinë e tij në Memfis më 16 gusht 1977 në moshën 42-vjeçare.
Ai jetoi në rezidencën e tij ‘Graceland’ për mbi 20 vite. Fansat nga e gjithë bota vizitojnë shtëpinë e autorit të hiteve “Love me Tender” dhe “Fallin in Love with You”.
Elvisi Presley konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme kulturore të shekullit 20, që ka frymëzuar shumë imitues në mbarë botën./VOA