Lisa Marie Presley e mbajti trupin e djalit të saj të ndjerë për dy muaj në shtëpi pasi nuk e kapërcente dot pikëllimin e vdekjes së tij.

Fakti i tmerrshëm zbulohet në librin e sapo publikuar të Presley, “From Here to the Great Unknown” që u përfundua nga e bija, Riley Keough.

54-vjeçarja ishte vajza e vetme e Elvis Presley. Nipi i tij, Benjamin Keough vrau veten në vitin 2020 duke i  dhënë fund jetës në moshën 27-vjeçare. Tragjedia e goditi rëndë nënën e tij.

“Nëna e mbajti vëllain në shtëpi me ne në vend që ta çonte në morg. Ata na thanë se nëse ne mund të kujdeseshim për trupin, mund ta mbanim në shtëpi dhe ajo kështu bëri, duke e vendosur në akull të thatë. Ishte shumë e rëndësishme për nënën time që të kishte kohë të mjaftueshme për t’i thënë lamtumirë, njësoj siç kishte bërë me të atin. Unë shkoja dhe ulesha pranë tij”, tha Riley.

Në Kaliforni nuk ka ligj që përcakton kohën e saktë se kur një trup duhet varrosur ose asgjësuar.

“Mendoj se kushdo do të tmerrohej që ta mbante të birin ashtu. Por jo unë”, shkruante Lisa Marie.

Dhoma në të cilën ruhej trupi i Benjamin ishte rreth 12 gradë dhe nëna e tij “u mësua me të, kujdesej për të dhe e mbante në të”, shkruhet në libër.

Lisa Marie dhe e bija bënë tatuazhe të njëjta me të falë një tatuisti që pranoi të shkonte në shtëpi. “Keni ndonjë foto?”, pyeti ai. “Jo”, u përgjij Lisa Marie, “por mund të ta tregoj”. Keough shkruan se ky ishte një episod i çuditshëm, edhe për familjen Presley.

 “Lisa Marie Presley sapo i kishte kërkuar këtij burri të gjorë të shihte trupin e djalit të saj të vdekur që ndodhej në shtëpinë tonë. Kam pasur një jetë ekstremisht absurde, por ky moment është në top pesëshe”, shkroi Riley.

Pas tatuazhit, të gjithë ranë dakord që Benjamin duhej të prehej në banesën e fundit jashtë shtëpisë. Ai dhe nëna e tij prehen në Graceland./tvklan.al