95% e të huajve të hyrë në vendin tonë përgjatë vitit 2024 rezultojnë të kenë ardhur për pushime apo vizitë tek të afërm. Më konkretisht, rreth 11.1 milionë nga 11.7 milionë të huaj të hyrë në Shqipëri.

Sipas të dhënave të INSTAT, në krahasim me vitin 2023 kjo kategori ka një rritje me 16%.

Përveç interesit të të huajve për t’a shijuar Shqipërinë si turistë, shumë të tjerë kanë shtuar ndjeshëm hyrjet për arsye biznesi.

Shifrat zyrtare tregojnë se nga Janari deri në Dhjetor vjet rreth 212 mijë të huaj erdhën për biznes dhe qëllime profesionale, një rritje kjo me 70% në krahasim me vitin 2023.

Sakaq bie në sy që hyrjet për arsye shëndetësore kanë rënë. Në ulje janë edhe udhëtarët transit.

Shumica e të huajve përgjatë vitit 2024 kanë ardhur nga Evropa Jugore, ndjekur nga Evropa Qëndrore dhe Lindore. Interes në rritje ka pasur edhe nga Amerika, Afrika dhe Azia.

Në Dhjetor numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar shkoi në 654.342, duke bërë që viti të mbyllet me 11.7 milion të huaj të ardhur në Shqipëri.

Tv Klan