Inflacioni për këtë fillim viti u rrit me 1.9%, por pavarësisht rritjes minimale, çmimet e ushqimeve vijojnë rritjen përtej këtij niveli.
INSTAT raporton se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Janar është 1.9 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 3.4 %.
Ndikimin më të madh në rritjen vjetore të inflacionit, e ka dhënë grupi i çmimeve të “Ushqime dhe pije joalkoolike” të cilat janë rritur me 2.6%.
Ndërkohë rritje kanë pësuar edhe argëtim dhe kulturë, pije alkolike dhe duhan, mirëmbajtje dhe pajisje shtëpie, por edhe veshje e këpucë, rritja e çmimeve për këto grupe varion nga 3.3% në 5.7%.
Ndërsa, brenda grupit të çmimeve të ushqimeve nga rreth 41 produkte që janë baza e konsumit në vend, për 29 prej tyre sipas INSTAT kanë pësuar rritje.
Kjo gjë ndikohet edhe nga kriza në sektorin e bujqësisë, me rënien e krerëve të bagëtisë, por edhe rënia e të prodhimeve vendase.
Në raportimin e INSTAT vihet re se brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “mish” patën një rritjen më të madhe me 4.0 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3 % më pas renditen “zarzavate” me 3,0 % si dhe “peshk” me 2.0 %.
Veç rritjes vjetore, konsumatorët kanë hasur edhe rritje mujore të çmimeve të ushimeve të shportës pra nga Dhjetori në Janar, INSTAT raporton se u rritën me 0.9%.
Klan News