Pjesë e evolucionit të përmbysjes së stereotipeve gjinore dhe shpërndarjes së përgjegjësive shtëpiake apo të kujdesit për fëmijët brenda një familjeje është edhe “Escuela de Hombres al Cuidado”, ose ndryshe shkolla e burrave. Iniciativa më e fundit e bashkisë së Bogotës në Kolumbi.

Po si funksionon dhe çfarë ka si qëllim?

Sipas mediave të huaja, burrat e të gjitha moshave, pavarësisht statusit të tyre, do të kenë mundësinë të zhvillojnë kurse për përkujdesjen ndaj familjes. Bashkëshortë, baballarë, vëllezër apo djem do të sfidojnë kulturën e maskilizmit toksik që akoma ekziston.

Te këto kurse përfshihen që nga ndërrimi i pelenave e deri te bërja e një gërsheti për vajzat e vogla. Edhe pse kjo shkollë ekziston që prej 2021-it, rezultatet po shihen vetëm tani. Një sondazh i vitit të shkuar zbuloi se shumë burra e gra të këtij qyteti i ndanin detyrat në mënyrë të barabartë.

Një nga nxënësit e kësaj shkolle është Luis Martinez, i cili ka punuar gjithmonë në ndërtim. Ai është 67 vjeç dhe ka dalë në pension. Megjithatë Luisi ka vendosur që të jetë i përkushtuar në detyrat e tij, sidomos për partneren.

“Ia vlen, më përpara e kisha lënë pas dore”, thotë ai.

Pavarësisht kësaj shkolle që duhet theksuar është një shpresë për dhënien fund të diferencimit gjinor, “hendeku” mbetet i madh.

Përshembull në Bogota, rreth 30% e grave të qytetit (1.2 milion), kujdesen për familjen mesatarisht 10 orë në ditë. Edhe gratë që punojnë, shpenzojnë rreth 5 orë e 32 minuta çdo ditë me detyrat e shtëpisë. Kjo, krahasuar me 2 orë e 19 minuta për burrat!

Në nivel global, statistikat nga 88 vende të nxjerra prej OKB për periudhën 2001-2017 tregojnë se gratë shpenzojnë mesatarisht 18% të ditës së tyre për punët në shtëpi dhe për t’u kujdesur për familjen, një normë që për burrat shkon në 7%. Në fakt, në rajone të botës si Afrika e Veriut dhe Azia Perëndimore, punët e shtëpisë rëndojnë 6 herë më shumë ndaj grave.

Qendra e ofrimit të kurseve, San Cristobal, Bogota.

Por Bogota po e lufton këtë fenomen me shumë iniciativa. Një tjetër program interesant i qytetit është “Manzanas del Cuidado”, që ofron shërbime falas si lavanderia, kujdesi për fëmijët, por edhe mbështetje ligjore ose mësime joge e kërcimi.

E.D/tvklan.al