Komisioni i Sigurisë, debate për hyrjen e ushtarëve serb në Karaçevë
Komisioni i Sigurisë në Kuvendin e Kosovës nuk është pajtuar me reagimin e autoriteteve ndaj hyrjes së xhandarmërisë serbe në Karaçevë, në komunën kufitare të Kamenicës.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka shprehur kritika të ashpra ndaj drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ndaj dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.
“Më 20 Mars ka hyrë edhe një herë xhandarmëria serbe dhe kryeministri Kurti nuk e ka hapur gojën. Rashit Qalaj kësaj here nuk ka pë ta kaluar këtë punë kështu. Drejtori i Policisë nuk është këtu vetëm për tendera të vet dhe për t’u servilosur. Uunë jam që të kërkohet dorëheqja e drejtorit të Policisë”.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, duke kundërshtuar deklaratën e ministrit të Brendshëm Veliu, i cili e cilësoi depërtimin e ushtrisë serbe një lëvizje rutinë, ka kërkuar që ai të ftohet në interperlancë.
“Nuk pajtohem me deklaratën e ministrit Veliu, i cili thotë në mënyrë injorante se ka qenë një lëvizje rutinë dhe nëse këto janë të lejueshme dua të di se kur kanë bërë lëvizje Ushtria e Kosovës, një lëvizje me KFOR-in në territorin e Serbisë. Unë pajtohem plotësisht që ministri Veliu të ftohet në interpelancë”.
Ndërsa deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka thënë se ky problem është i vjetër dhe nuk mund të adresohet problemi tek asnjë qeveri.
“Unë jam i shqetësuar njësoj si ti dhe nuk po e adresoj problemin te asnjë qeveri të caktuar. Banorët në Karaçevë janë ankuar për çdo javë se po e prek territorin xhandarmëria serbe”.
Më 8 Gusht një njësi prej 11 ushtarësh serb u filmuan në brendësi të territorit të Kosovës në fshatin Karaçevë. Lidhur me këtë ngjarje reagoi KFOR, i cili e konsideroi nje patrullim të sinkronizuar të forcave të saj me ato serbe.
Tv Klan