A$AP Rocky ka vendosur të zbatojë të drejtën e Amendamentit të Pestë dhe të mos dëshmojë në gjyqin e tij për plagosjen e Terell Ephron, i njohur ndryshe si A$AP Relli.
Gjykatësi e informoi reperin se mund të ngjitej në podium dhe të paraqiste versionin e tij të historisë, por nuk ishte i detyruar për ta bërë. Ai theksoi se kushtetuta amerikane parashikon që askush s’mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetes.
I pyetur nëse donte që ta bënte këtë, Rocky u përgjigj prerë: “Dua të drejtën time për të mos dëshmuar”.
Fillimisht u tha se Rocky “mezi priste ta tregonte historinë e tij”, por duket se pasi ka peshuar mirë situatën, ai ka zgjedhur të tregohet i kujdesshëm dhe të qëndrojë i heshtur.
Vendimi i tij përkon me një strategji të zakonshme ligjore pasi ngjitja në podium mund ta ekspozojë të pandehurin ndaj pyetësorit të dyfishtë duke lënë të hapur mundësinë për një dëshmi në dëm të tij.
36-vjeçari akuzohet për plagosjen e A$AP Relli në vitin 2021 gjatë një përplasjeje në Hollywood, Los Angeles. Rocky pretendon se ka përdorur armë manovër gjatë incidentit por mbi të rëndojnë dy akuza për plagosje të rëndë dhe mund të përballet me 24 vite burg nëse dënohet./tvklan.al