Riku Beu nga fshati Kryevidh i Kavajës është zhdukur më 7 Mars 2020 në Shkup të Maqedonisë së Veriut dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus që ka investiguar gjerësisht këtë histori, ka mësuar gjithashtu se në të njëjtën periudhë rezulton të jetë i zhdukur edhe një shtetas tjetër nga Maqedonia, i quajtur Petar. Ky person është gjithashtu shok dhe i njohur i Riku Beut.

Gazetari Spartak Koka ka zhvilluar një intervistë me shqiptaro-maqedonasin Elham Abdilovski, shok i 35-vjeçarit të zhdukur Riku Beu, i cili ndër të tjera ka treguar fakte të rëndësishme të përfshirjes së Rikut në një grup kriminal nga Elbasani.

I pyetur nëse ka dijeni për zhdukjen e Petarit, Elham Abdilovski bëri një deklaratë të fortë kur tha se ai nuk është i zhdukur, por fshihet në Serbi pasi ka kryer një vrasje. Elhami thotë se e njeh Petarin, dhe të dy kanë miqësi me Riku Beun. Ai tregon se Petarin e ka takuar në Serbi dhe aty mësoi se u fshihej autoriteteve për një vrasje që ka kryer në Maqedoni.

Spartak Koka: I zhdukur rezulton në të njëjtën periudhë dhe shtetasi Petar nga Maqedonia, 28 vjeç, të cilin ju besoj e njihni apo jo.

Elham Abdilovski: Unë besoj që ai nuk është i zhdukur. Ai është fshehur se ai ka bërë vrasje në Maqedoni. Petari ka bërë vrasje në Maqedoni, ka shkuar në Serbi.

Spartak Koka: Kë ka vrarë?

Elham Abdilovski: Ka vrarë njërin në Cerovë. Ka ikur prej andej, ka shkuar në Serbi. Unë rastësisht shkova të punoja me emigrantë, shkova në Beograd të punoja me kamion, kur e pashë atë në Beograd, Petarin, thashë ti nga dole këtu. Këtu jam tha, mos i kallxo kurrkujt ku jam. I thashë mua s’më intereson çfarë bën ti.

Spartak Koka: Nga e morët vesh ju që ai kishte kryer vrasje?

Elham Abdilovski: Më ka kallxoi ai kur kam shkuar e kam marrë ne Beograd.

Spartak Koka: Dihet? Është bërë publike kjo vrasje që ju pretendoni se ka kryer shtetasi Petar? 

Elham Abdilovski: Unë kam qenë në polici për atë vrasje që ka bërë ai.                

Spartak Koka: Pse keni qenë në polici?

Elham Abdilovski: Mua më erdhi policia më hyri te shtëpia. Edhe tha, një foto e ke postuar ti edhe ku është ky njeri? I thashë unë nuk e di ku është. Unë kujtoja që ka bërë një vjedhje tek këta njerëz, unë s’e kam ditur që ka marrë njeri dhe e ka humbur.

Spartak Koka: Petari dhe Riku Beu janë shokë me njëri-tjetrin?

Elham Abdilovski: Shokë janë!

Spartak Koka: Edhe ju jeni shokë i përbashkët i tyre apo jo?

Elham Abdilovski: Unë jam më shumë shok me Rikun se me Petarin. Me Petarin s’më bëhet muhabeti me të shumë.

Spartak Koka: Kur i keni humbur kontaktet me Petarin? Në cilin shtet i keni humbur? Ku jeni takuar? Kur jeni takuar dhe kur i keni humbur kontaktet me të?

Elham Abdilovski: Kontaktet i kam humbur më 7 Mars në Kosovë. I kam shkruar unë, s’ma kthen telefonin. S’më përgjigjet prapë. Unë nuk jam duke të kërkuar lekët që t’i kam dhënë borxh. Të kam thirrur se je duke më nxjerrë mua probleme.

Spartak Koka: Nëna e Petarit dhe motra e Petarit ju akuzojnë ju që keni patur kontaktet i fundit me të, dhe ato thonë që, të paktën në komunikimet që stafi ynë në Maqedoni ka patur me ta, është që ju i keni thënë se e kemi ne Petarin, po e mbajmë ne Petarin nën kontroll.

Elham Abdilovski: Si i kemi thënë e kemi ne Petarin nën kontroll? Petari më ka thirrur mua, unë kam shkuar e kam marrë në Beograd. Edhe e kam shti në Kosovë se veç në Maqedoni mos më diktojnë, se po ta marrin vesh që jam këtu, tha kanë me më …. për vrasje.

Spartak Koka: Ju pretendoni se ai nuk është rrëmbyer dhe zhdukur nga të tjerët, por po fshihet vetë apo jo?

Elham Abdilovski: Ai fshihet, prej 2 vjetësh duke u fshehur. Fshihet fshihet fshihet, pas një kohe del edhe më thirr ku je çfarë bën.

/klanplus