Asambleja do t’i drejtohet sërish Presidentit
“Akademia e Shkencave do t’i drejtohet zyrtarisht institucionit të Presidentit me një kërkesë për rishikimin e dekretit për emërimin e Skënder Gjinushit në krye të këtij institucioni”.
Mësohet se pika kryesore e renditur në kërkesën e akademikëve është data e dorëheqjes së Skënder Gjinushit nga Kryetari i Partisë Social-Demokrate.
Asambleja e Akademisë së Shkencave vlerëson si datë të dorëheqjes së Skënder Gjinushit nga detyra e kryetarit të PSD-së, 15 Maj 2019. Pra për akademikët, në ditën e zgjedhjes si kryetar, Skënder Gjinushi nuk mbante asnjë funksion të lartë drejtues politik
Ndërkohë Presidenti Ilir Meta argumenton se në 24 Maj kur u zhvilluan zgjedhjet, por edhe më herët, kur Skënder Gjinushi paraqiti interesimin për të kandiduar, ai ishte edhe kryetar i Partisë Social Demokrate, duke sjellë si dokument vendimin e Gjykatës së Tiranë, të datës 13 Qershor.
Në kërkesën e saj, Asambleja e Akademisë së Shkencave vlerëson se Skënder Gjinushi është zgjedhur në bazë të ligjit, se zgjedhjet e 24 Majit janë të rregullta dhe se nuk ka patur asnjë ankimim ligjor pranë Asamblesë ose Gjykatës Administrative, organet që i shqyrtojnë ato.
Për Akademinë e Shkencave, pavarësisht refuzimit të dekretimit nga Presidenti i Republikës, kryetari është Skënder Gjinushi. Këtë na e tregon edhe faqja zyrtare e këtij institucioni.
Tv Klan