Gjendet kutia e dytë e zezë e avionit me 67 persona në bord që u rrëzua në afërsi të aeroportit të Aktaut në Kazakistan. Autoritet shpresojnë se përmes kësaj kutie do të hidhet më shumë dritë mbi shkaqet e aksidentit që i mori jetën 38 personave, por shpëtuan 29 të tjerë.

Do të duhen të paktën rreth dy javë për të lexuar kutitë e zeza të gjetura në vendngjarje. Media CNN e cila citon një zyrtar amerikan shkruan se mjeti fluturues është rrëzuar nga goditja e sistemit anti-ajror rus i cili ishte vënë në gjendje alarmi nga hyrja e disa dronëve ukrainas të cilët u qëlluan në ajër pak para tragjedisë.

Kjo është hera e parë që SHBA del me një version për aksidentin ajror. Vetë kompania Azerbajxhani Airlines në një deklaratë sqaron se avioni që u rrëzua në Kazakistan në ditën e Krishtlindjes përjetoi “ndërhyrje të jashtme fizike dhe teknike”. Edhe Rusia konfirmoi këtë version të ngjarjes.

“Duhet të theksoj se situata në zonën e aeroportit të Groznit atë ditë dhe ato orë ishte mjaft e vështirë. Dronët luftarakë ukrainas po kryenin sulme terroriste në infrastrukturën civile në qytetet Grozny dhe Vladikavkaz. Për shkak të kësaj, në zonën e aeroportit të Groznit u prezantua plani ‘Kovyor’ që do të thotë se të gjithë avionët duhej të largoheshin menjëherë nga hapësira ajrore.”

Këto dyshime konfrimohen edhe nga dëshmia e një pasagjeri që mbijetoi i cili ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters. Ai thotë se para se avioni të rrëzohej është dëgjuar një shpërthim i fortë.

“Pas shpërthimit mendova se avioni do të shpërbëhej”, tha Subhonkul Rakhimov, një nga pasagjerët, për Reuters nga spitali.

Avioni i nisur nga Bakuja drejt Groznit devijoi rrugën drejt Aktaut në Kazakistan, pasi nuk mundi të ulej në aeroportin e kryeqytetit çeçen prej mjegulles së dendur.

Klan News