20 vite më parë, Iliri endej rrugëve të Greqisë në emigracion për të siguruar të ardhura për familjen. Duke punuar në ndërtim, ai pësoi nje aksident, që e la të paralizuar për gjithë jetën.

Rutina e tij ditore tashmë ka pësuar një rrjedhë tjetër. Përveç problemit fizik, një barrë e shtuar është edhe ajo ekonomike, pasi pensioni mujor prej 25 mijë lekësh të reja nuk mjafton as për ilaçet ditore që i largojnë dhimbjet.

“80 mijë Lekë shkojnë vetëm për ilaçe, pastaj shpenzime për të shkuar deri në spital, 10 mijë Lekë i do vetëm taksia”.

Bashkëshoqëruesja e të gjitha problemeve që ka kaluar Iliri është padyshim nëna e tij. Selvia është e vetmja që kujdeset çdo ditë për të gjitha nevojat që ka djali i saj 40-vjeçar.

“Jam 70 vjeç, sëmurë vetë. Djemtë e tjerë i kam në emigracion. Mezi ia dal vetëm të kujdesem për Ilirin. Shyqyr që kërkon të dalë të pijë kafe me shokët”.

Krahas jetës së vështirë, një shqetësim për Ilirin është rruga ku i duhet të kalojë çdo ditë për të hyrë në shtëpi. Edhe pse shpesh ka kërkuar ndihmë nga Bashkia Kamëz, kërkesat e tij kanë mbetur pa përgjigje.

“Nuk kemi fonde, kjo është arsyeja. Sa herë kam shkuar në bashki nuk e gjejnë kërkesën time, e kanë grisur”.

“Ja këto janë vështirësitë që kaloj unë çdo ditë për të dalë nga shtëpia, pa ndihmën e shoqëruesve nuk iki dot as për të pirë një kafe”.

Jo vetëm familjarët, por edhe fqinjët i vijnë në ndihmë për të dalë deri në rrugën kryesore.

Si për ironi, në të njëjtën lagje në Paskuqan, bashkë me Ilirin jeton edhe Alfredi, i cili ndan të njëjtin fat me të. Prej 10 vitesh, pas një aksidenti në punë ai ka mbetur i paralizuar, dhe tashmë i izoluar, pasi e ka tepër të vështirë që me karrocë të dalë në rrugën kryesore.

“Siç e sheh edhe vetë, ky muhabet është prej vitesh. Dy herë jam rrëzuar aty te dera prej gurëve që ka rruga”.

Të dy bashkë, shokë fëmijërie, Iliri dhe Alfredi ndajnë të njëjtin fat sot, për arsye se pushteti lokal ka neglizhuar për 100 metra rrugë të pashtruar për 20 vite.

“Ia dolëm të arrijmë deri në rrugën kryesore, por këtu kemi edhe një problem tjetër, pasi shpesh kjo rrugë është edhe burim aksidenti për ne. Nuk ka asnjë tabelë, dhe makinat kalojnë me shpejtësi”.

Pas shumë peripecish kafeja e tyrë në këtë ditë me diell ka një kënaqësi më vete, të paktën për aq kohë sa mund të harrojnë se u duhet të kthehen sërish në shtëpi përmes së te njëjtës rrugë.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu