Një sërë ngjarjesh të rënda kanë ndodhur ditët e fundit, ku janë regjistruar disa vrasje, dhe njëra prej tyre ishte edhe ajo në zonën e Paskuqanit në Tiranë.
Kunati goditi dhe vrau me sende të forta kunatën e tij. Viktima është Enkelejda Çapoku 39 vjeç.
Autori Erdet Çapoku 34 vjeç, në gjendje të dehur ishte futur me dhunë në banesën e kunatës, ku fillimisht goditi nënën e viktimës duke e lënë pa ndjenja dhe më pas ka masakruar me sende të forta nusen e vëllait. Nëna e 39-vjeçares rrëfeu se i riu i preu damarët Enkeledës dhe e masakroi me thikë në fytyrë.
Konflikti mes kunatit dhe kunatës kishte nisur disa muaj më parë, pas porosisë që burri i saj kishte bërë nga burgu për vëllanë. Ai mësohet se kishte porositur Erdetin që të ruante dhe të kontrollonte të gjitha lëvizjet e gruas dhe informacionet apo fotot t’ia dërgonte në burg nëse e tradhtonte. Gruaja së bashku me vajzën 17 vjeçe dhe nënën ishin zhvendosur në një shtëpi me qira duke u larguar nga banesa ku jetonin më parë me kunatin dhe familjarët e tjerë.
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë, burg pa afat për 34-vjeçarin Erdet Çapoku, i cili ka pranuar krimin duke thënë se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe kishte bindje të forta se kunata i tradhtonte të vëllanë.
Djali i xhaxhait të viktimës, Klodjan Fjolla në një intervistë për emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka treguar se Enkelejda e kishte denoncuar kunatin sepse ai e përndiqte dhe fotografonte gjatë gjithë kohës.
Klodjan Fjolla: Goca e xhajës kishte një denoncim, urdhër mbrojtje dhe folëm e me gocën e xhajës dhe do ja lemë shtetit dhe kaq. Por që të shkojë të kërcënojë poshtë e lartë dhe policia mos bëjë gjë. Do ja lemë në dorë shtetit, por nëse shteti e liron..
Më tej, Klodjani shton se vrasësi mund të kishte shkaktuar një masakër edhe më të madhe, duke vrarë dhe mbesën e vet.
Klodjan Fjolla: Kur ra në burg Eltoni, erdhi dhe ndenji aty. Se sa do, një mashkull e do shtëpia apo jo. Konfliktet nuk e di sesi kanë rrjedhur. Ai i dilte në rrugë, e kërcënonte, e filmonte. U hap dera e ka dëgjuar nusja e xhaxhait, nëna e Enlekejdës, edhe u ngrit, ai i ra direkt se a ka shkuar direkt tek dhoma. I ka rënë me sende të forta, nuk e di dhe e ka lënë pa ndjenja. Është ngritur Enkelejda dhe i ka rënë dhe Enkelejdës, ka bërë masakër. Ka parë gjakun dhe ka ikur, se mos kishte parë gjakun do bënte masakër, do vriste dhe mbesën e vet.
Gazetarja: Dje u bë varrimi i Enkeledës, po bashkëshorti i saj?
Klodjan Fjolla: Nuk erdhi, nuk e solli policia, nuk i dhanë leje. /tvklan.al