Kunati vrau kunatën në sy të vajzës dhe mamasë së saj
Ngjarja e rëndë e ndodhur në Paskuqan, ku kunati Erdet Çapoku vrau kunatën Enkeleda Çapoku, ka tronditur opinionin publik. Erdet Çapoku 34 vjeç kishte shkuar në banesën e kunatës së tij në gjendje të dehur dhe fillimisht kishte goditur mamanë e viktimës me sende të forta duke e lënë pa ndjenja dhe më pas kishte masakruar Enkeleda Çapokun 39 vjeç.
Krimi ka ndodhur në sy të vajzës së saj vetëm 17 vjeç. Në gjykatë, autori ka pranuar krimin duke thënë se ka qenë i dehur dhe kishte bindje të forta se kunata i tradhtonte të vëllanë.
Për të diskutuar për ngjarjen e ndodhur, këtë pasdite të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ishin psikologu i njohur Edmond Dragoti dhe aktivistja e shoqërisë civile Edlira Çepani.
Kjo e fundit shprehet se ngjarja e ndodhur mund të ishte evituar nëse do ishte trajtuar më me seriozitet denoncimi i bërë më herët nga ana e viktimës.
Edlira Çepani: Kemi arritur në pikën ku tani mirë brenda familjes që ishte, po edhe nga kunati duhet të ruhen gratë edhe vajzat? Është diçka për mendimin tim e papranueshme, domethënë jeta e grave dhe vajzave në Shqipëri vlen sa një person, që mendon se ka pronësi mbi jetën e tyre. Si shumë të tjera, po veçanërisht kjo, ishte një vrasje e paralajmëruar. Dhe fatkeqësisht mund të ishte evituar, në qoftë se forcat e policisë do kishin vepruar në mënyrën e duhur, duke e marrë rastin seriozisht, siç nuk ndodh shpeshherë. Shepeshherë të gjitha këto rastet e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, raste që quhen relativisht të thjeshta, nuk merren me seriozitetin e duhur, që nga momenti i denoncimit dhe deri në trajtimin e tyre më pas. Dhe pikërisht prandaj ndodhin këto gjëra që ndodhin. Kur ka një denoncim për kërcënim jete është detyra e policisë që të marrë masat e duhura për të mbajtur në kontroll personin që e kryen këtë kërcënim. Kështu që nuk mund të lihet i lirë personi që kryen kërcënimin. Për mua është një rast, i cili mund të ishte evituar si disa raste të tjera që ne kemi parë. /tvklan.al